Burnout: Heshtja që Djeg Nga Brenda
Burnout: Heshtja që Djeg Nga Brenda
Brikene Bunkaju
·
Oct 28, 2025


Si profesioniste në fushën e mirëqenies dhe shëndetit mendor, me përvojë shumëvjeçare në shërbimet e mirëqenies së pacientëve në ordinanën klinike, si dhe në orinancën time private në punë të drejtpërdrejtë me klientë nga fusha të ndryshme – nga sektori korporativ deri tek kujdesi shëndetësor – kam parë nga afër se si shfaqet dhe përshkallëzohet burnout. Kam ndihmuar shumë individë të rikuperohen, të rikthejnë vetveten dhe të ndërtojnë një jetë më të qëndrueshme emocionalisht.
Ky postim është për ju – që ndoshta po ndiheni të lodhur, të zbrazët, të pashpresë, dhe që pyesni veten nëse kjo është "thjesht lodhje" apo diçka më thellë.
Çka është Burnout?
Burnout është më shumë sesa lodhje. Është një gjendje komplekse e rraskapitjes emocionale, fizike dhe mendore që rezulton nga stresi kronik dhe i pashkarkuar. Nuk është një dobësi personale – është një reagim biologjik dhe psikologjik ndaj kërkesave të vazhdueshme pa rikuperim adekuat.
Sipas përkufizimit të Herbert Freudenberger dhe thelluar nga motrat Nagoski në librin Burnout: The Secret to Unlocking the Stress Cycle, burnout përbëhet nga tre komponentë kryesorë:
Lodhje emocionale: ndjesia e një rraskapitjeje që nuk hiqet, pavarësisht pushimit apo gjumit.
Depersonalizim: shkëputje emocionale nga puna, njerëzit dhe vetë jeta.
Mungesë ndjenje arritjeje: ndjesia se asgjë që bëjmë nuk ka kuptim ose ndikim.
Llojet e Burnout-it
Burnout nuk e përjetojnë të gjithë njëjtë. Në praktikën time, shfaqet në disa forma:
Burnout profesional – më i zakonshmi, veçanërisht në profesionet ndihmëse.
Burnout emocional – kur ndihesh i zbrazët nga mbajtja e emocioneve të të tjerëve.
Burnout prindëror – ndodh te prindërit që nuk kanë hapësirë për rimëkëmbje emocionale nga përkujdesi ndaj fëmijëve.
Burnout nga aktivizmi – kur motivimi për të sjellë ndryshim në rrethin tonë bëhet burim lodhjeje.
Burnout nga perfeksionizmi – kur asgjë nuk është mjaftueshëm “e mirë”, përkundër mundimeve të vazhdueshme.
Si Ndikon Burnout në Trup dhe Mendje?
Burnout është një gjendje që prek çdo sistem të trupit:
Sistemi nervor & hormonal:
Nivelet e larta të kortizolit ndikojnë negativisht në ciklin e gjumit, tretjen dhe riprodhimin.
Aktivizimi i vazhdueshëm i sistemit nervor simpatik shkakton tendosje kronike, rraskapitje dhe pagjumësi.
Truri:
Ulje e aftësisë për përqendrim dhe vendimmarrje
Rritje e rrezikut për ankth dhe depresion
Humbje e kujtesës afatshkurtër dhe mjegullisë mendore
Sistemi imunitar:
Rritje e infeksioneve të shpeshta
Shfaqje e sëmundjeve autoimune dhe inflamatore
Dallimet Gjinore në Përjetimin e Burnout-it
Ndërsa burrat dhe gratë përballen me burnout, por mënyra se si e përjetojnë dhe reagojnë ndaj tij shpesh është e ndryshme.
Gratë:
Sipas konceptit “Human Giver Syndrome”, gratë shpesh ndihen të detyruara të jenë gjithmonë në shërbim të të tjerëve – të duken të lumtura, të jenë të disponueshme, të mos ankohen. Kjo sjell një shtypje të emocioneve dhe mungesë të vetëkujdesit të qëndrueshëm.
Burrat:
Shpesh përballen me presione që lidhen me performancën dhe rolin tradicional si “mbajtës të barrës”. Ata rrallëherë kërkojnë ndihmë, duke i shtyrë simptomat deri në një pikë krize.
Ndikimi i Burnout-it në Jetën Personale dhe Profesionale
Burnout nuk është një çështje individuale – është një fenomen sistemik që ndikon në:
Marrëdhëniet familjare: shkëputje emocionale, konflikte, mungesë pranie.
Produktivitetin: performancë e ulët, mungesa në punë, rritje e gabimeve.
Vetëvlerësimin: ndjenja paaftësie dhe dështimi.
A Ka Rrugëdalje? Po. Por Kërkon Kohë dhe Kujdes.
Rikuperimi nga burnout nuk ndodh brenda natës. Nga përvoja ime me klientët:
Rikuperimi aktiv zgjat mesatarisht 3 deri në 12 muaj, në varësi të shkallës së lodhjes, faktorëve individualë dhe mbështetjes së disponueshme. Burnout chronic, rikuperimi mund te zgjasë deri në 5 vite.
Në raste më të thella ose të zgjatura, procesi mund të marrë më shumë kohë dhe të kërkojë ndërhyrje të kombinuara: terapi, pushime të strukturuara, ndryshim në mënyrën e jetesës dhe rikonstruksion të vlerave personale.
Strategjitë Që Ndihmojnë në Rikuperim
Këtu janë disa praktika që unë rekomandoj dhe zbatoj rregullisht me klientët e mi:
🔹 Përfundo ciklin e stresit – përmes lëvizjes fizike, frymëmarrjes së thellë, lotëve, kontaktit me të tjerët dhe krijimtarisë/kreativitetit.
🔹 Vendos kufij të shëndetshëm – mëso të thuash jo. Mos lejo që koha jote personale të pushtohet nga puna ose pritshmëritë e të tjerëve.
🔹 Praktiko vetëdijësim emocional – mjafton të ndalosh 5 minuta dhe të pyesësh: "Si ndihem tani?" Kjo pyetje mund të jetë fillimi i një rikuperimi të thellë.
🔹 Përkujdesu për trupin – gjumë cilësor, ushqim i balancuar, dhe aktivitet fizik jo si “detyrim”, por si formë dashurie ndaj vetes.
🔹 Rishiko sistemin tënd të vlerave – burnout shpesh lind kur jemi të shkëputur nga vetvetja. Rikujto çfarë të frymëzon vërtet.
🔹 Kërko ndihmë profesionale – nuk ke nevojë ta përballosh vetë. Terapia ofron një hapësirë të sigurt për të eksploruar, kuptuar dhe ndërtuar qëndrueshmëri.
Përfundim: Rikthimi te Vetja
Burnout nuk është një dështim personal. Është një sinjal. Një thirrje nga brenda që na fton të ndalojmë, të dëgjojmë, të ndryshojmë. Për disa është hera e parë që i japin leje vetes të pushojnë. Për të tjerë, është momenti i kthesës për të rikthyer jetën në duart e tyre.
Nëse ndihesh e/i zbrazët, e/i rraskapitur apo e/i pashpresë – nuk je vetëm. Dhe më e rëndësishmja: je e/i rikuperueshëm(me). Ka mënyra për të dalë nga cikli i pashtershëm i stresit. Ka mënyra për të ndërtuar një jetë që nuk të djeg, por të frymëzon.
Nëse ke nevojë për mbështetje profesionale për të kuptuar simptomat e tua, për të strukturuar një plan rikuperimi apo për të rikthyer ekuilibrin në jetën tënde – jam këtu për të ndihmuar.
Më kontakto për një konsultë, ose ndiq për më shumë këshilla në blogun tim mbi mirëqenien, shëndetin mendor dhe vetëkujdesin.
© Copyrights BriksTherapy | All Rights Reserved
© Copyrights BriksTherapy | All Rights Reserved
