Ku të fillojmë me rimëkëmbjen nga Burn-out: Një kthim i butë tek vetja

Ku të fillojmë me rimëkëmbjen nga Burn-out: Një kthim i butë tek vetja

Brikene Bunkaju
·

Oct 28, 2025

Derisa shumica e klientëve më kontaktojnë në lidhje me ndihmë rreth rehabilitimit, lodhja e thellë emocionale, fizike dhe psikologjike — apo siç e quajmë shpesh, burnout — veçse ka lënë gjurmë serioze në jetën e tyre. Shpesh ata janë në pushim mjekësor me javë apo edhe muaj. Ajo që përshkruajnë është një gjendje e dhimbshme dhe e njohur: ndihen bosh, të paaftë të përqendrohen, emocionalisht të plogësht, të mjegullt në mendime dhe fizikisht të pafuqishëm.

Gjumi është i çrregullt, "koka vlon" nga mendimet dhe brengat e vazhdueshme, dhe vendimet më të thjeshta janë shumë të vështira të mendohen, e le më të mirren. Marrëdhëniet personale kanë ndryshuar, dhe presioni nga punëdhënësit apo HR-i për tu “kthyer në punë” bëhet gjithnjë e më i rëndë.

Ajo që shihet më qartë në këto momente është se nuk janë vetëm të lodhur — janë të shteruar. Dhe nën të gjitha fjalët që thonë, dëshira është :“të rikthehem në veten që isha dikur”.

Shumë prej tyre vijnë të vendosur për të "punuar me veten", duke pritur një plan trajtimi të qartë që do t’u ndihmojë të rimëkëmben sa më shpejt. Dhe ndonëse u ofroj një strukturë të mirëfilltë, ajo që shpesh i befason është fakti se pika e parë e nisjes është më e butë, më e ngadaltë dhe më fizike sesa e prisnin.

Hapi i Parë: Lëvizje të Lehta dhe të Vazdhueshme

Përkundër instinktit për t’u shtrirë dhe për të pushuar pafund, rimëkëmbja në të vërtetë fillon me lëvizje të lehta. Kjo nuk do të thotë ushtrime intensive apo objektiva për të qenë produktiv. Do të thotë të rikthejmë lëvizjen në trup në mënyrë të kujdesshme dhe të përputhshme me gjendjen emocionale që e kanë.

Diçka aq e thjeshtë sa një shëtitje 10-minutëshe në ditë mund të ketë ndikim të madh.

Burnout-i i bind njerëzit se qetësia është shërim — dhe në një farë mase, pushimi fillestar është i nevojshëm. Por një gjendje e gjatë e palëvizshmërisë mund të shndërrohet shpejt në një kurth. Trupi që qëndron shumë gjatë pa lëvizur fillon të fiket edhe më shumë.

Siç thotë ligji i inercisë: një objekt në lëvizje ka gjasa të mbetet në lëvizje. Rimëkëmbja nuk ka të bëjë me shpejtësinë, por me rikthimin e ritmit dhe krijimin e rutinës së vetëkujdesit.

Përkujdesje nga Brenda: Ushqimi dhe Suplementet

Sapo klientët fillojnë të lëvizin sërish, e drejtojmë fokusin drejt mbështetjes së trupit nga brenda. Burnout-i nuk është vetëm emocional — është edhe fizik. Stresi kronik e dëmton tretjen, çrregullon hormonet, dhe shkakton inflamacion që ndikon drejtpërdrejt në përqendrimin, gjumin dhe mirëqenien emocionale.

Në këtë fazë, rekomandoj shpesh një regjim ushqimor anti-inflamator, si për shembull dieta AIP (Autoimmune Protocol). Së bashku me këtë, përfshijmë edhe suplemente të përzgjedhura që ndihmojnë në rigjenerimin/mbështetjen e sistemit nervor dhe në përmirësimin e funksioneve mendore (kognitive).

Suplementet që zakonisht i rekomandoj përfshijnë:

  • Omega 3-6-9: për shëndetin e trurit dhe reduktimin e inflamacionit.

  • Zink: për mbrojtjen e imunitetit dhe funksionin nervor.

  • Magnez L-Threonate: për gjumin, përqendrimin dhe reduktimin e ankthit.

  • Kurkuma me piper të zi: për vetitë anti-inflamatore.

  • Vitaminë D dhe B-kompleks (nëse dalin të ulëta në analizat laboratorike).

Ky proces nuk bëhet kurrë pa koordinim me mjekun familjar dhe, kur është e nevojshme, me specialistë të tjerë, si mjekë të stilit të jetesës, psikiatër apo specialistë të gjumit. Ky bashkëpunim është thelbësor për të siguruar sigurinë dhe efikasitetin e trajtimit.

Pushimi si Pushim, Jo si Kollaps

Burnout-i na mashtron duke na bërë të besojmë se të gjitha format e pushimit janë të barabarta. Por qëndrimi i pafund në shtrat, duke scroll nëpër rrjete sociale, nuk është pushimi që shëron.

Pushimi i vërtetë është rregullues i sistemit nervor. Ai ndihmon trupin të dalë nga gjendja e alarmit konstant dhe të kthehet në një ritëm ku shërimi bëhet i mundur.

Për këtë arsye, sygjeroj praktika si masazhet, akupunktura, yoga, ecjet në natyrë, noti apo pilatesi — jo si trende të mirëqenies, por si mjete të provuara për të rikthyer ndjesinë e sigurisë brenda trupit. Po ashtu, përdorim ushtrime të frymëmarrjes dhe teknika që bazohen në teoritë somatike dhe polivagale për të rregulluar sistemin nervor.

Faza e Hutisë: Pse Psikoedukimi Është i Rëndësishëm

Shumë klientë ndihen të hutuar, madje të zhgënjyer, kur dëgjojnë për herë të parë planin e trajtimit. Ata presin ndërhyrje psikologjike apo teknika për përqendrim dhe motivim. Por kur truri është i tejmbushur, rruga më e mëshirshme është të ndërtojmë mbështetje nga poshtë — dmth përmes trupit.

Pikërisht këtu hyn psikoedukimi ku flasim për ndikimin e kortizolit, për mënyrën se si stresi i zgjatur ndikon në trurin tonë, dhe pse nuk mund t'i përdorim dhe përmirësojmë funksionet mentale pa stabilizuar më parë shëndetin fizik.

Kur klientët e kuptojnë se cështjet e tyre nga aspekti kognitiv nuk janë dështim personal — por se trupi i tyre është thjesht i shteruar — ndjenja e fajit largohet, dhe vendin e saj e zë vetë-dhembshuria (self-compassion).

Zemra e Shërimit: Vetë-Dhembshuria e Vëmendshme (Mindfulness based self-compassion therapy)

Thelbi emocional i çdo trajtimi është gjithmonë i njëjtë: vetë-dhembshuria. Jo si një sygjerim i "hajt", por si një proces terapeutik i strukturuar.

Përmes Terapisë së Vetë-Dhembshurisë së Vëmendshme, e bazuar në punën e Dr. Kristin Neff, klientët mësojnë të sillen me veten si me një mik të dashur — me mirëkuptim, durim dhe ndjeshmëri. Kjo është e vështirë për shumë prej nesh. Burnout-i shpesh prek njerëzit më të përkushtuar, më të ndërgjegjshëm dhe më vetëkritikë.

Por sa më shumë i luftojmë kufizimet tona, aq më gjatë mbesim të kurthuruar në to. Vetë-dhembshuria kur praktikohet rregullisht bëhet një bar i butë, por i fuqishëm — një rrugë që na lejo të kapërcejmë nga mbijetesa në rehabilitim, dhe eventualisht në një lloj të ri të qëndrueshëmrisë.

Qasje e Koordinuar dhe Afatgjatë

Momentalisht punoj në një ordinancë private me mjekë të përgjithshëm, ku kam casje udhëzimi dhe bashkëpunimi me psikiatër, nutricionist, specialistë të gjumit dhe të stilit të jetesës gjë që e bën të mundur një qasje multidisiplinare dhe të personalizuar për çdo klient.

Planifikimi afatgjatë merr parasysh funksionalitetin aktual të klientit, sëmundjet shoqëruese, gjendjen psikologjike dhe, kur është e nevojshme, përfshin komunikim të kujdesshëm me HR-in dhe menaxhmentin në punë.

Për shumë klientë, përmirësimi fillon të ndjehet brenda një viti apo dy. Por gjithmonë theksoj: qëllimi nuk është koha. Është procesi.

Kur Problemi Nuk Është Brenda Teje

Është thelbësore të thuhet: jo çdo burnout ka të bëjë me personin vetë. Shumë klientë nuk janë vetëm të lodhur — janë të rraskapitur nga një sistem i disfunksional.

Mjediset toksike të punës, menaxhimi i keq, ngarkesa kronike, mungesa e mbështetjes — këto nuk janë dobësi personale por janë dështime sistemore.

Në Holandë, të dhënat e fundit tregojnë se rreth 20% e të punësuarve përjetojnë burnout, me shkallët më të larta (25.5%) te grupmoshat 25–34 vjeç.Burimi

Fjalë Përmbyllëse: Ka Rrugëdalje

Burnout-i nuk është dobësi. Është një thirrje dhe një sinjal nga trupi, mendja dhe shpirti yt që diçka duhet të ndryshojë.

Rimëkëmbja nuk ka të bëjë me t’u kthyer në atë që ishe. Ka të bëjë me ndërtimin e një versioni më të qëndrueshëm, më të vetëdijshëm, më të butë dhe më të vërtetë të vetes.

Rruga fillon butë: me lëvizje, me ushqim të kujdesshëm, me praktikim të dhembshurisë dhe kufinjëve.

Dhe ti nuk ke pse ta bësh këtë rrugëtim vetëm, kërko ndihmë nga mjeku dhe profesionistët.