Si ta Vlerësoni Psikologen/un Tuaj: Një Udhëzues për të Kuptuar nëse Terapia po Ju Ndihmon
Si ta Vlerësoni Psikologen/un Tuaj: Një Udhëzues për të Kuptuar nëse Terapia po Ju Ndihmon
Brikene Bunkaju
·
Oct 28, 2025


Unë e shoh terapinë si një proces bashkëpunues—diçka që e ndërtojmë së bashku, jo diçka që juve thjesht ju ndodh. Pas çdo seance, shpesh i ftoj klientët e mi të ndalen dhe të reflektojnë: Si u ndjetë gjatë kësaj seance? A pati diçka që nuk ju përshtatej? Si mund ta strukturojmë ndryshe për ta bërë më të dobishme për ju?
I bëj këto pyetje për disa arsye të rëndësishme. Së pari, dua të sigurohem që mbështetja që ofroj është vërtet në përputhje me nevojat tuaja. Por po aq e rëndësishme, është një mënyrë e butë për të ushtruar diçka që shpesh është e vështirë për shumë njerëz: ti mësojnë kufijtë e tyre, ti vërejnë ndjesitë e tyre të brendshme, ti identifikojnë nevojat, dhe të mësojnë si t’i shprehin ato—veçanërisht në një marrëdhënie ku ndoshta janë mësuar t’i mbajnë gjërat për vete.
Është krejtësisht normale të ndiheni të pasigurt kur ftoheni të vlerësoni punën e psikologes/ut tuaj. Shumë njerëz druajnë se kjo mund të duket si kritikë, ose se mund të ndryshojë mënyra si ajo/ai sillet me ta. Të tjerët thjesht nuk kanë pasur ndonjëherë mundësinë të mësojnë si duket një marrëdhënie e shëndetshme terapeutike. Por një gjë dua ta dini: një psikolog/e i/e mirë gjithmonë do t’i mirëpresë këto biseda. Terapia duhet të jetë një hapësirë ku zëri juaj ka rëndësi.
Nëse ndonjëherë jeni pyetur, “A po më ndihmon tërë kjo punë?”, nuk jeni vetëm. Më poshtë gjeni një udhëzues të thjeshtë për ta eksploruar këtë pyetje me kujdes dhe ndjeshmëri.
Komunikimi: A Ndiheni të Dëgjuar, të Vërejtur dhe të Vlerësuar?
Mënyra se si psikologia/u juaj komunikon me ju krijon bazën për tërë procesin terapeutik. Reflektoni:
A ndiheni të respektuar dhe emocionalisht të sigurt në seancat tuaja?
A është psikologia/u e/i hapur për bashkëpunim, apo e drejton gjithçka në mënyrë të njëanëshme?
A ndiheni si ekspert/e i/e jetës suaj—dhe a e pranon ajo/ai këtë në dhomën e terapisë?
A përgjigjet me ngrohtësi, mirëkuptim dhe qartësi?
A dilni nga seancat me ndjesinë se keni fituar kuptim apo kontroll mbi ndjenjat tuaja?
A ju shpjegohet procesi i terapisë dhe a ju fton të reflektoni nëse po ju ndihmon?
A i mban psikologia/u kufijtë profesionalë (nisja në kohë, mos anulimi pa shpjegim, mbajtja e strukturës së seancave)?
Një marrëdhënie e shëndetshme terapeutike bazohet në respekt të ndërsjellë, besim dhe komunikim të qartë. Nëse këto mungojnë, është në rregull ta diskutoni ose të mendoni për alternativa.
Mbështetja: A Ju Ndihmon Psikologia/u të Ndiheni më e/i Fortë dhe më e/i Qëndrueshëm/e?
Mbështetja në terapi duhet të ndjehet si tokëzim—veçanërisht kur punoni me përvoja të vështira ose traumatike.
A ju ndihmon psikologia/u të njihni fuqinë dhe reziliencën tuaj, edhe përballë dhimbjes që e ndieni?
Kur ndiheni të tejstimuluar gjatë seancës, a ju ndihmon të riktheheni në të tashmen dhe të stabilizoheni?
A ju pyet si jeni ndjerë mes seancave—si keni fjetur, si jeni ndjerë, çfarë ju ka shqetësuar?
A ju inkurajon të riktheheni tek vetja përmes kreativitetit, inkurajimit të krijoni lidhje shoqërije, të praktikoni besimet e juaja apo lëvizjes fizike?
A ju ndihmon të eksploroni burime të tjera mbështetjeje si miqësitë, puna, aktivitetet vullnetare apo komuniteti?
Ju meritoni një psikolog/e që ju ndihmon të ndërtoni një jetë më të pasur brenda dhe jashtë terapisë.
Informimi: A Po Ju Jepet Një Shpjegim i Plotë mbi Mendjen dhe Trupin Tuaj?
Shërimi emocional dhe psikologjik është më i lehtë kur kuptoni çfarë po ndodh brenda trupit dhe emocioneve tuaja.
A ju ka shpjeguar psikologiu/a se si trauma, stresi apo dhimbja emocionale mund të ndikojnë në trupin dhe mendjen tuaj?
A ju ka rekomanduar një kontroll mjekësor për të përjashtuar probleme fizike që mund të ndikojnë në gjendjen tuaj?
A ju ka pyetur për gjumin, disponimin apo mendimet vetëvrasëse—dhe a ju ka ndihmuar të lidheni me mjekë apo psikiatër nëse ka qenë e nevojshme?
Ju meritoni një përkujdesje që shikon të gjithë ju—jo vetëm mendimet, por edhe trupin dhe jetën tuaj të përditshme.
Aftësitë: A Ka i Psikologia/u Aftësitë që Ju Nevojiten?
Një psikolog/e i/e mirë sjell me vete dhembshuri dhe kompetencë.
A përdor ajo/ai strategji, teknika apo qasje që ndiheni se janë të përshtatshme për nevojat tuaja specifike?
Nëse nuk është e specializuar në një fushë që ju nevojitet gjatë trajtimit, a ka sugjeruar udhëzim te dikush tjetër?
Çdo profesionist i ka limitimet e tij/saj—dhe është shenjë profesionalizmi kur ata janë të hapur për këtë dhe vërtet duan më të mirën për ju, edhe nëse kjo dmth me ju vënë në kontakt me profesionist tjetër.
Në Fund...
Terapia është një përvojë shumë personale, dhe është krejtësisht në rregull të reflektoni nëse marrëdhënia me psikologen/un tuaj është me të vërtet mbështetëse. Nëse ndjeheni se diçka nuk është si duhet, nuk keni pse ta mbani për vete. Ju mund të:
Shprehni mendimet tuaja drejtpërdrejt në seancë
Merrni këtë udhëzues me vete dhe ta diskutoni bashkë
Kërkoni një konsultim apo referim nëse është e nevojshme
Një psikolog/e i/e mirë do t'ju ftojë të shpreheni gjatë procesit dhe do të ecë përkrah jush, jo përpara jush. Puna juaj emocionale dhe psikologjike ka rëndësi. Sigurohuni që mbështetja që po merrni e pasqyron këtë.
© Copyrights BriksTherapy | All Rights Reserved
© Copyrights BriksTherapy | All Rights Reserved
