Si ta Zgjidhni Psikologun/en e Duhur për Ju!

Si ta Zgjidhni Psikologun/en e Duhur për Ju!

Brikene Bunkaju
·

Oct 28, 2025

Zgjedhja e një psikologu/e është një vendim shumë personal dhe i rëndësishëm — një hap që mund të ndikojë thellësisht në rrugëtimin tuaj drejt zhvillimit personal dhe mirëqenies suaj. Pavarësisht nëse kërkoni mbështetje për ankth, sfida jetësore, çështje në marrëdhëniet me të tjeret ose punë më të thellë personale, gjetja e një psikologu/je që ju përshtatet është thelbësore për një përvojë të suksesshme.

Disa Gjëra që Duhet të Merrni Parasysh Kur Kërkoni një Psikolog/e

Terapia zakonisht është një përkushtim afatgjatë dhe i thellë. Marrja e kohës për të gjetur dikë me të cilin ndiheni rehat mund të ndikojë thellësisht në efektivitetin e terapisë.

Në përgjithësi, një psikolog/e profesional/e duhet të ketë një diplomë universitare të nivelit master ose doktorature në psikologji ose psikologji këshilluese nga një institucion i akredituar. Është gjithashtu shumë e vlefshme që psikologu/ja të jetë anëtar/e i/e një organizate profesionale me emër, që zakonisht kërkon respektimin e standardeve etike dhe zhvillimin e vazhdueshëm profesional.

Megjithatë, është e rëndësishme të dini se në Kosovë ka mungesë të organizatave rregullatore për profesionistët e shëndetit mendor dhe kjo do të thotë që jo të gjithë psikologët do të jenë anëtarë të një organizate profesionale, por kjo nuk do të thot se puna e tyre nuk është cilësore. Mirëpo, është e rëndësishme që të pyesni drejtpërdrejt për arsimimin, trajnimin dhe përvojën e psikologut/es.

Nëse keni nevoja të veçanta — si p.sh. dëshironi që psikologu/ja të ketë të njëjtën kulturë, gjuhë, identitet gjinor apo përvoja jetësore — mbajeni këtë parasysh kur të kërkoni një psikolog/e. Të ndihesh i/e kuptuar dhe i sigurt në marrëdhënien terapeutike është një pjesë shumë e rëndësishme e terapisë.

Kur filloni kërkimin, është ide e mirë të merrni disa emra, të bëni pyetje dhe të mos nxitoheni. Ndonjëherë psikologu/ja i/e duhur mund të ketë një listë pritjeje, por shpesh ia vlen të prisni për të gjetur dikë që ju përshtatet.

Si i Menaxhoj Unë Kërkesat për Terapi

Unë zakonisht e preferoj kontaktin përmes emailit, sikur me klientët me të cilët punojmë me vite, poashtu edhe me personat që janë të interesuar të punojnë me mua. Kjo mënyrë na mundëson të shkëmbejmë informata qartë dhe me kujdes rreth privatësisë.

Pas emailit të parë, ku mbledh më shumë informata rreth fushave ku të interesuarit dëshirojnë të punojnë, pastaj e ofroj një takim njohtues falas prej 15 minutash. Kjo është një mundësi që të takohemi, të shohim si funksionon komunikimi ynë dhe të bëjmë pyetje të rëndësishme rreth procesit.

Meqë puna ime sikur psikologe është tërësisht online, takimi njohtues na ndihmon të kuptojmë gjithashtu nëse terapia online është e përshtatshme për ta. Nganjëherë, pas këtij takimi, vendosim së bashku se terapija në zyre do të ishte më e përshtatshme. Në këto raste, i ofroj tri rekomandime për psikologë të besuar në Kosovë që kanë marrë vlerësime të mira nga tjerët (p.sh. ish klientë) dhe profesionistë të fushës.

Sic e ceka me herët, edhe pasi të fillojmë bashkëpunimin, preferoj ta mbaj komunikimin vetëm përmes emailit. Nuk jap numrin tim të telefonit dhe nuk angazhohem në komunikim përmes rrjeteve sociale. Komunikimi përmes emailit ndihmon në ruajtjen e qartësisë, kufijve profesionalë dhe konfidencialitetit.

Pyetje që Mund t’i Bëni Psikologut/es Potencial/e

Kur takoni një psikolog/e për informim rreth punës me të — qoftë përmes telefonit, online apo fizikisht — mos hezitoni të bëni pyetje. Një psikolog/e i/e mirë do të mirëpresë kureshtjen tuaj dhe do të marrë kohë për t'u përgjigjur pyetjeve tuaja.

Këtu janë disa pyetje që mund të konsideroni t'i pyesni gjatë takimit njohtues:

Rreth Kualifikimeve dhe Përvojës

  • Cilat janë kualifikimet dhe trajnimet tuaja profesionale?

  • A jeni të licencuar ose të regjistruar në ndonjë organizatë profesionale?

  • Sa kohë keni që punoni sikur psikolog/e?

  • Me çfarë lloj çështjesh keni më shumë përvojë?

  • Si do ta përshkruanit stilin ose qasjen tuaj terapeutike?

Rreth Mënyrës së Punës

  • Cilat janë cmimet tuaja dhe a ofroni fleksibilitet rreth pagesës (*sliding scale)?

  • A mbulohen shërbimet tuaja nga sigurimi shëndetësor? (nëse keni sigurim shëndetësor)

  • Sa zgjasin seancat?

  • Cilat janë rregullat tuaja rreth anulimeve ose mungesave?

  • Si e menaxhoni komunikimin në mes të seancave (p.sh., email, emergjencat, etj.)?

*Sliding scale do të thotë që pagesa përshtatet në bazë të mundësive financiare të klientit, për ta bërë terapinë më të qasshme për më shumë persona.

Rreth Konfidencialitetit dhe Sigurisë

  • A keni pasur ndonjëherë ndonjë ankesë zyrtare ndaj jush?

  • Çfarë ndodh nëse jeni në pushim ose jashtë pune përkohësisht?

  • Si e ruani konfidencialitetin e informacionit tim?

Këto pyetje nuk kanë të bëjnë vetëm me informata teknike — ato janë edhe një mënyrë për të parë se si psikologu/ja reagon. A janë të hapur, të respektueshëm dhe të qartë në përgjigjet e tyre? A ndiheni të dëgjuar?

Pyetje për Vetë-reflektim

Pas takimit me një psikolog, merrni disa çaste për të reflektuar:

  • A ndihesha rehat duke bërë pyetje?

  • A u përgjigj psikologu/ja në mënyrë të hapur dhe të respektueshme?

  • A përputhet qasja e psikologut me atë që kërkoj unë?

  • A mendoj se psikologu ka përvojën dhe aftësitë për të më ndihmuar?

  • A mund ta imagjinoj që me kalimin e kohës do të mund të hapem me këtë person?

  • A është terapia e përballueshme financiarisht për mua?


Terapia kërkon një investim të madh emocional, financiar, psikologjik dhe fizik. Ju meritoni të ndiheni të sigurt, të respektuar dhe të dëgjuar gjatë këtij procesi.

Gjithashtu, keni plotësisht të drejtë të kërkoni informata profesionale për psikologun/en, qasjen dhe përvojën e tyre. Kërkimi i këtyre informatave është pjesë e rëndësishme e kujdesit ndaj vetes dhe ndihmon në gjetjen e përshtatjes së duhur profesionale.

Besoni instinkteve tuaja. Ndonjëherë, vendimi nuk mund të merret menjëherë, dhe kjo është krejtësisht normale. Gjetja e një psikologu/e nuk ka të bëjë me gjetjen e një personi "të përsosur" — por me gjetjen e dikujt me të cilin mund të ndërtoni një marrëdhënie të sigurt dhe mbështetëse me kalimin e kohës.