Çka është Neurodiversiteti?
Çka është Neurodiversiteti?
Brikene Bunkaju
·
Oct 28, 2025


Një mënyrë më e gjerë dhe më e mirë për ta kuptuar trurin njerëzor
Ndoshta e keni dëgjuar gjithnjë e më shpesh fjalën “neurodiversitet” në media, në rrjete sociale apo në ndonjë trajnim profesional. Por çfarë do të thotë "neurodiversiteti" në të vërtetë?
Neurodiversiteti i referohet llojllojshmërisë natyrore në mënyrën si njerëzit mendojnë, ndiejnë dhe e përjetojnë botën. Ashtu siç jemi të ndryshëm në pamje – ngjyrë sysh, flokësh apo forme të trupit – ashtu jemi të ndryshëm edhe në mënyrën si funksionon truri ynë.
Këtë term e krijoi sociologia australiane Judy Singer në fund të viteve '90, si pjesë e studimeve të saj mbi lëvizjet për vetë-përfaqësim të personave autikë. Ajo kërkonte një mënyrë për ta përshkruar dhe vlerësuar diversitetin neurologjik si një pjesë legjitime të diversitetit njerëzor.
Paradigma e Neurodiversitetit
Kur flasim për neurodiversitet, nuk flasim vetëm për një term – por për një mënyrë të të menduarit ndryshe. Paradigma e neurodiversitetit është një qasje filozofike që thekson se nuk ekziston një “neurotip” më i mirë apo më i vlefshëm se tjetri. Çdo mënyrë se si truri funksionon është pjesë e diversitetit të natyrshëm njerëzor.
Kjo qasje qëndron në kontrast me modelin tradicional mjekësor të paaftësisë, i cili e sheh individin si “i dëmtuar” për shkak të asaj që i mungon ose që nuk funksionon “si duhet”. Sipas këtij modeli, zgjidhja është të ndryshohet individi që të përshtatet me normat.
Ndërsa paradigma e neurodiversitetit e mbështet modelin social të paaftësisë, i cili thotë: nuk është individi ai që është problem – por është mjedisi që nuk është i përshtatur për diversitetin neurologjik.
Për shembull, një person me ADHD nuk është i paaftë vetëm pse truri i tij funksionon ndryshe. Vështirësitë lindin nga pritjet që ai të qëndrojë ulur për orë të tëra, të fokusohet vetëm në një temë, apo të ndjekë struktura që nuk përputhen me mënyrën e tij të përqendrimit.
Termet që ia vlen të njihni
Nëse keni filluar të mësoni më shumë për neurodiversitetin, do të hasni disa terma të rinj që është mirë t’i kuptoni:
Neurodivergjent – përdoret për njerëz që kanë një mënyrë të të menduarit që ndryshon nga normat shoqërore. Kjo përfshin persona me ADHD, autizëm, disleksi dhe të tjera forma divergjence neurologjike. Termi u propozua nga Kassiane Asasumasu në vitin 2000.
Neurotipik – përshkruan ata njerëz që përputhen me mënyrën “standarde” të funksionimit mendor që shoqëria e ka si normë. Përdoret zakonisht për të dalluar njerëzit me përvoja neurologjike më të zakonshme.
Pse ka rëndësi kjo temë?
Të kuptuarit e neurodiversitetit sjell një ndryshim të thellë në mënyrën si i shohim vetveten dhe të tjerët. Na ndihmon të largohemi nga gjykimi dhe të afrohemi më shumë me pranimin, mbështetjen dhe ndërtimin e mjediseve më të hapura për të gjithë.
Në vend që t’u kërkojmë njerëzve të përshtaten me një sistem që nuk i përfshin ata, mund të fillojmë të ndërtojmë struktura që u përshtaten më shumë realitetit të shumëllojshëm njerëzor.
Na u bashkangjitni
Unë jam duke e përpiluar një punëtori mbi ADHD dhe vetëdijësimin neurodivergjent, ku do të flasim më shumë për këtë qasje dhe për mënyrat se si mund të krijojmë hapësira më të kuptimta dhe më të qasshme për të gjithë – pa paragjykime, pa presion për të qenë "si të gjithë", por me hapësirë për të qenë vetvetja.
Nëse keni pyetje ose dëshironi të mësoni më shumë, më kontaktoni ose ndiqni për postimet e radhës.
© Copyrights BriksTherapy | All Rights Reserved
© Copyrights BriksTherapy | All Rights Reserved
