top of page

Diagnozat e Pazëna te Femrat & Pasojat e Diagnozave të vonshme: Një Epidemi e Heshtur

Updated: 23 hours ago



"Ana", një vajzë në moshën 21-vjeçare, paciente imja, që nga mosha 15-vjeçare, kishte përjetuar probleme në të pamur, corientim dhe dhimbje koke të rënda. Megjithëse jetonte në një nga vendet më të pasura të Evropës, shqetësimet e saj u injoruan vazhdimisht nga prindërit si ndryshime hormonale dhe nga disa mjekë si simptoma psikosomatike.


Vetëm kur Anna u zhvendos në Holandë për studime, gjendja e saj u bë e pamohueshme. Gjatë një ligjërate në fakultet në moshën 19 vjece, ajo u alivanos dhe u dërgua në spital. Edhe aty pas testeve të ndryshme, ajo këmbënguli për një skanim të trurit që u prit me skepticizëm dhe nënçmim nga stafi mjekësor. Skani zbuloi një tumor prej 5 cm në trurin e saj. Diagnoza, ndonëse e frikshme për shumë, Annës i solli një ndjenjë lehtësimi—konfirmim se vuajtja e saj ishte reale dhe jo e imagjinuar.


Pasi u kthye në shtëpi për operacion, Anna u përball me sfida të tjera, përfshirë gabime mjekësore gjatë operimit dhe injorim të vazhdueshëm të simptomave të saj. Sot, ajo jeton me pjesërisht e verbër dhe një cilësi jete të dëmtuar dukshëm, duke luftuar me barrën emocionale të viteve që kaloi duke u përpjekur ta gjejë dikë ti besojë. Përveç ndikimit fizik, ajo mbart ndjenja të thella pafuqie, zemërimi dhe mungesë të thellë besimi në sistemin shëndetësor. Kjo histori nuk ka një fund triumfues apo shpresëdhënës, por një përfundim zhgënjyes—i karakterizuar nga lufta e pandërprerë e një vajze të re për t’u dëgjuar në një sistem që vazhdimisht e ka heshtur.


Një Model i Mohimit: Shqetësimet Shëndetësore të Grave shpesh Injorohen


Historia e Annës nuk është e vecantë. Çdo ditë, has në paciente ku simptomat e tyre të rënda minimizohen ose iu vihen arsyeve psikologjike. Një paciente tjetër 20 vjece, që ka pritur për një vlerësim të autizmit për dy vjet, u etiketua nga mjeku i saj si me "histeri" ne vitin 2019 kur ajo vuante nga simptomet e Autizmit —një term i mbushur me mizogjini historike dhe i hequr zyrtarisht nga manualet diagnostike dekada më parë.


Kushtet si endometrioza, perimenopauza dhe dhimbjet kronike shpesh injorohen si "probleme të zakonshme të femrave." Në praktikën time, shoh vazhdimisht një kontrast të fortë në mënyrën se si trajtohen meshkujt dhe femrat kur paraqesin simptoma të ngjashme. Femrat shpesh detyrohen të avokojnë për shëndetin e tyre, një barrë që rrallë i vendoset pacientëve meshkuj. Për shembull, kur një pacient gjatë punës sime paraqitet me dhimbje barku, zakonisht dërgohet për kontrolla të mëtejshme diagnostike. Në të kundërt, një paciente me të njëjtat ankesa shumë shpesh dërgohet në shtëpi me ibuprofen dhe i thuhet se ndoshta është stres ose cikël menstrual. Kjo pabarazi gjinore nuk është vetëm anekdotë—është një realitet i përditshëm në ambientet klinike.


Për më tepër, stili i komunikimit të femrave—shpesh më i detajuar dhe më i nuancuar—nganjëherë keqinterpretohet si emocional ose i ekzagjeruar. Në vend që të ndihmojë në procesin diagnostik, këto përshkrime të pasura shpesh injorohen, duke kontribuar më tej në ciklin e mosbesimit dhe vonesës së kujdesit.


Të Dhënat: Kuptimi i Pabarazive


Diagnostifikimet e Gabuara në Shëndetin Mendor

Pabarazitë gjinore në diagnozat e shëndetit mendor janë dukshëm të theksuara. Në vitin 2019, afërsisht 20% e femrave dhe 18% e meshkujve mbi moshën 20 vjeç në BE vuanin nga çrregullime mendore. Megjithatë, saktësia diagnostike shpesh ndikohet nga gjinia:

  • Studimet tregojnë se 30–50% e femrave të diagnostifikuara me depresion mund të kenë diagnozë të gabuar.

  • Femrat diagnostikohen më shpesh me Çrregullim të Personalitetit Borderline, edhe kur simptomat e tyre mund të përputhen më mirë me problematika të tjera, si Çrregullimi Antisocial i Personalitetit.

  • Në çrregullimet neurozhvillimore, tek femrat ka mangësi diagnostifikimi adektuat. Për shembull, raporti i diagnozës meshkuj-femra për ADHD është rreth 4:1, ku shumë vajza që paraqesin simptoma të pavëmenshmërisë që shpesh anashkalohen. Po ashtu, Çrregullimi i Spektrit të Autizmit te femrat shpeshherë neglizhohet ose diagnostikohet gabim.

Pasojat e këtyre diagnozave të gabuara përfshijnë stigmatizim, trajtime të papërshtatshme ose joefektive dhe vonesë në marrjen e kujdesit të duhur. Një qasje e ndjeshme ndaj gjinisë në vlerësimin e shëndetit mendor është kyqe, duke përfshirë përditësimin e kritereve diagnostike, trajnim më të mirë profesional dhe hulumtime gjithëpërfshirëse që njohin se si simptomat mund të shfaqen ndryshe varësisht nga gjinia.

  • Vonesat Diagnostike: Femrat diagnostifikohen me sëmundje rreth katër deri shtatë vjet më vonë se meshkujt, duke shkaktuar zjgatje të vuajtjes dhe trajtim të vonuar.

  • Problemet më të Shpeshta të Diagnostifikuara Gabim: Sëmundjet e zemrës, çrregullimet autoimune, endometrioza, PCOS dhe disa lloje kanceresh diagnostikohen shpesh gabim ose me vonesë te femrat.

  • Faktorët Ndikues:

    • Pabarazia Gjinore: Hulumtimi mjekësor historikisht është përqendruar te subjektet meshkuj, duke çuar në mungesë të kuptimit për mënyrën se si sëmundjet shfaqen te femrat.


    • Paraqitja e Simptomave: Femrat shpesh shfaqin simptoma atipike që nuk përputhen me kriteret “standarde” diagnostike.


    • Stilet e Komunikimit: Përshkrimet e detajuara të simptomave nga femrat mund të keqinterpretohen ose injorohen në mjedise klinike. Këto narrativa, ndonëse shpesh të pasura me tregues të rëndësishëm klinikë, nganjëherë shihen përmes një thjerëze paragjykimi që i percepton pacientet si emocionale ose të ekzagjeruara në vend të informacionit të vlefshëm mjekësor. Ky keqinterpretim çon në trajtim më pak serioz të pacienteve, duke kontribuar në vonesa diagnostike dhe duke e përforcuar ciklin e dëmshëm të mosbesimit dhe "gaslighting" në përvojat e femrave në kujdesin shëndetësor.

  • Ndikimi në Shëndetin Mendor: Injorimi i përsëritur i simptomave mund të çojë në ankth, depresion dhe ndjenjë pafuqie te femrat.

  • Vdekshmërija si Pasojë e Diagnozave të vonuara ose gabuara: Diagnozat e gabuara kontribuojnë në rreth 795,000 vdekje ose paaftësi të përhershme çdo vit vetëm në SHBA. Në Evropë, ndonëse të dhënat gjinore në këtë shkallë janë të kufizuara, gabimet diagnostike njihen si kontribues të rëndësishëm në vdekshmërinë e shmangshme. Sipas Eurostat, mbi 570,000 vdekje në vitin 2015 u konsideruan të shmangshme me ndërhyrje efektive dhe në kohë. Megjithatë, këto shifra nuk ndahen sipas gjinisë, duke nxjerrë në pah një boshllëk kritik në kërkime dhe raportim që vazhdon të fshehë ndikimin e vërtetë të pabarazive diagnostike në shëndetin e femrave.


Hapat Përpara: Drejt Kujdesit Shëndetësor të Barabartë

Për Profesionistët e Shëndetit Mendor dhe Shëndetësorë:

  • Adresimi i Traumës Mjekësore dhe "Gaslighting": Merrni parasysh se shumë paciente femra mund të kenë histori të traumës mjekësore ose "gaslighting". Validoni përvojat e tyre të kaluara dhe krijoni një hapësirë terapeutike të sigurt ku ato ndihen të dëgjuara dhe të respektuara. Vlerësoni ndikimin psikologjik të mohimit dhe diagnostifikimit të gabuar.

  • Fuqizoni Pacientet: Mbështesni pacientet që të marrin kontrollin mbi shëndetin e tyre. Inkurajoni pyetjet, vendosjen e kufijve dhe pjesëmarrjen aktive në kujdes shëndetsor. Fuqizimi mund të jetë një mjet i fuqishëm kundër ndjenjës së pafuqisë së shkaktuar nga vite të tëra mosbesimi.

  • Promovoni Vetë-Dhembshurinë: Shumë paciente fajësojnë veten për shkak se janë injoruar një kohë të gjatë. Profesionistët e shëndetit mendor duhet të inkurajojnë vetë-dhembshurinë dhe t’i ndihmojnë pacientet të kuptojnë se vështirësitë e tyre nuk janë rezultat i dështimit personal, por i mungesës sistemike.

  • Dëgjimi Aktiv: Jepni përparësi tregimeve të pacienteve dhe validoni përvojat e tyre.

  • Edukimi i Vazhdueshëm: Pjesëmarrja në trajnime që theksojnë ndryshimet gjinore në paraqitjen e sëmundjeve.

  • Hulumtim Gjithëpërfshirës: Avokoni dhe merrni pjesë në studime që përfshijnë popullata të larmishme.

Për Pacientet:

  • Avokimi për Veten: Përgatituni për takime me mjekë me shënime të detajuara të simptomave dhe pyetjeve.

  • Kërkoni Mendim të Dytë: Mos hezitoni të konsultoheni me disa profesionistë të kujdesit shëndetësor.

  • Edukoni Veten: Kuptoni gjendjet tuaja shëndetësore dhe opsionet e trajtimit.

  • Rrjete Mbështetëse: Lidhuni me komunitete dhe organizata që avokojnë për shëndetin e femrave.


Çështjet sistemike që çojnë në diagnoza të gabuara dhe të vonshme te femrat janë të rrënjosura thellë në paragjykime historike dhe mungesë hulumtimesh gjithëpërfshirëse. Duke i vërejtur këto pabarazi dhe duke punuar në mënyrë bashkëpunuese—pacientet dhe profesionistët shëndetësorë së bashku—mund të ecim drejt një sistemi shëndetësor më të barabartë ku simptomat e çdo individi merren seriozisht dhe diagnozat e sakta dhe në kohë bëhen normë.

 
 
 

Commentaires


  • Facebook
  • LinkedIn

©2021 by Briks Counselling

bottom of page