top of page

Peri-menopauza dhe Shëndeti Mendor

Updated: May 23




Një numër i madh i femrave që vijnë për të punuar me mua pas moshës 40 vjeçare janë duke u përballur me simptome të perimenopauzës së paidentifikuar dhe të patrajtuar. Këto femra paraqesin një mori të gjerë simptomash—disa emocionale, të tjera kognitive apo fizike—por të gjitha ndajnë një përvojë të përbashkët: nuk ndihen më si vetvetja.


Perimenopauza është faza që i paraprin menopauzës, zakonisht duke filluar në të 40-at, por nganjëherë edhe më herët. Gjatë kësaj kohe, nivelet hormonale—veçanërisht estrogjeni dhe progesteroni—ndryshojnë dhe fillojnë të bien. Ky tranzicion mund të zgjasë disa vite dhe ndikon pothuajse në çdo sistem të trupit, megjithatë mbetet temë pak e diskutuar dhe shpeshherë keqkuptohet edhe mes puntorëve të shëndetësisë.


Pse Është e Vështirë të Diagnostifikohet Perimenopauza


Perimenopauza nuk ka një test specifik diagnostik apo një paternë të parashikueshme të simptomeve. Femrat e përjetojnë në mënyra shumë të ndryshme, dhe shumë nga simptomet përputhen me çrregullime të zakonshme të shëndetit mendor apo fizik. Si rezultat, shpesh diagnostifikohet gabimisht ose edhe injorohet.


Ndryshimet në shëndetin mendor janë veçanërisht të keqkuptuara. Luhatjet hormonale ndikojnë në neurotransmetues si serotonina dhe dopamina, duke ndikuar thellësisht në disponim, anën kognitive dhe gjumë. Kjo shpesh çon në diagnoza të gabuara si:

  • Çrregullim depresiv

  • Çrregullim i ankthit

  • Sindroma e lodhjes kronike

  • Fibromialgjia

  • Demencia e hershme apo simptoma të ngjashme me ADHD


Stigmatizimi kulturor dhe mungesa e trajnimive të specializuara për stafin shëndetësor e përkeqësojnë më tej situatën. Shumë femra marrin antidepresantë apo medikamente për ankth pa kontrolla te detajuara rreth shkaktarëve të mundshëm hormonalë. Në Mbretërinë e Bashkuar (UK), vetëvrasja është shkaku kryesor i vdekjes tek femrat e moshës 45–54 vjeç—një grupmoshë që përkon ngushtë me perimenopauzën. Trende të ngjashme vërehen në vende të tjera: në Australi, statistikat e vetëvrasjes tek femrat 40–59 vjeç janë rritur ndjeshëm vitet e fundit, dhe në SHBA, shkalla e vetëvrasjeve në grupmoshën 45–64 ka pasur rritje me gati 60% mes 2000 dhe 2017.


Çfarë Vërej në Punën Time


Kur takoj femra në të 40-at apo 50-at që përshkruajnë ndjenja të shkëputjes nga vetja/rrethi, mbingarkesës ose që “nuk janë më vetvetja,” shpesh "filteri" i parë që e përdori është dyshimi se ndryshimet hormonale mund të jenë shkaktarët. Nëse identifikoj simptoma që përputhen me perimenopauzën, i udhëzoj tek një gjinekolog apo - këtu në Holandë - konsulentja e menopauzës. Një qasje bashkëpunuese dhe multi-disiplinore është thelbësore.


Pasi marrin mbështetjen e duhur profesionale shëndetësore—veçanërisht rregullimi i stilit të jetës dhe terapi me hormone (HRT)—shumë prej tyre raportojnë një përmirësim të dukshëm në mirëqenie. Shpesh madje më thonë se nuk u nevojitet terapi psikologjike pasi t'i kenë implementuar keto ndryshime sepse u kanë ndihmuar me simptomet.


Fatkeqësisht, takoj edhe femra që kanë kaluar vite të tëra me diagnoza të gabuara. Disa janë tashmë post-menopauzale dhe ende në trajtime me barëra psikiatrike (zakonisht antidepresant) që nuk u kanë ndihmuar me përmirësimin e simptomeve. Femrat që vijnë tek unë vetëm se kanë përjetuar probleme kognitive që kanë ndikuar në performancën në punë, vështirësi në marrëdhënie familjare dhe trauma mjekësore. Shumë e kanë humbur punën, janë në proces të ndarjes/divorcit ose vetëm se janë ndarë, kanë lidhje të vështira me fëmijet, prindërit/familjarët dhe rrethin.


Simptomet më të Shpeshta


Femrat mund të përjetojnë një shumëllojshmëri simptomesh të perimenopauzës. Këto janë disa nga më të zakonshmet:

  • Ndryshime disponimi dhe irritim

  • Ankth ose depresion

  • Vështirësi në përqendrim, "mjegulli mendore"

  • Lodhje dhe çrregullime të gjumit

  • Cikël i çrregullt ose i rënduar

  • Djersitje natën, valë të nxehtit (hot flashes)

  • Shtim në peshë, veçanërisht rreth barkut

  • Thatësi dhe ndjeshmëri vagjinale

  • Dhimbje në kyçe dhe muskuj

  • Ndryshime në lëkurë dhe rrallim/rënje të flokëve


Çfarë Ndodh me Trupin


  • Humbje e dendësisë së eshtrave: Femrat mund të humbasin deri në 2% të dendësisë së eshtrave në vit në fazat e hershme të menopauzës. Deri në 20% humbet në 5–7 vitet e para.

  • Shëndeti kardiovaskular: Rënia e estrogjenit çon në rritje të LDL (kolesterolit "të keq") dhe ulje të HDL (kolesterolit "të mirë"), duke shtuar rrezikun për sëmundje të zemrës 2–3 herë më shumë.

  • Ndryshime metabolike: Ngadalësimi i metabolizmit dhe disbalanci i hormoneve rrisin peshën dhe rrezikun për diabet të tipit 2.

  • Ndryshime kognitive: Estrogjeni ndikon në funksionin e trurit. Kujtesa, përqendrimi dhe rreziku për sëmundjen e Alzheimerit mund të përkeqësohen.


Më tutje Me Një Qasje Holistike


Nuk ekziston një zgjidhje universale, por ka shumë strategji efektive. Në terapi, punojmë duke përdorur një qasje të integruar:

  • Psikoedukimi: Të kuptuarit e ndryshimeve biologjike dhe emocionale të perimenopauzës

  • Rregullimi i sistemit nervor: Me frymëmarrje, mindfulness, meditim dhe qasje terapeutike të fokusuara në trup

  • Trajtimi i traumës: EMDR dhe metoda të tjera për të përpunuar traumën mjekësore ose stresin e kahershëm

Jashtë terapisë, përmirësimi i simptomeve shpesh arrihet me:

  • HRT (terapi hormonale), kur është e përshtatshme

  • Ushqyerje e shëndetshme: E pasur me kalcium, magnez, omega-3, fitoestrogjene, etj.

  • Aktivitet fizik: Sidomos ushtrime me pesha dhe kardiovaskulare

  • Terapitë alternative: Akupunkturë, Mjekësi Tradicionale Kineze, etj.

  • Praktika balansuese: Yoga, noti, Pilates, higjiena e gjumit, etj.


Në Fund

Perimenopauza mund të përjetohet si një fazë e hutimit dhe izolimit—por nuk ka pse të jetë kështu. Me kujdesin e duhur, femrat mund të menaxhojnë ndryshimet dhe të arrijnë të kenë qartësi më të madhe rreth vetes, më të fuqishme dhe më të lidhura me veten e tyre.

Nëse ndonjë pjesë e kësaj ju tingëllon familjare, dijeni që nuk jeni vetëm—dhe se ndihma e informuar është e rëndësishme. Armatosuni me dije para se ta kontaktoni mjeken/un dhe avokoni për veten sepse vetë jeta juaj është në pyetje.

 
 
 

Comments


  • Facebook
  • LinkedIn

©2021 by Briks Counselling

bottom of page