Sfidat e Fshehura të Femrave me ADHD: Hormonet, Stigmat dhe Trajtimi
- Brikene Bunjaku
- May 18
- 5 min read

ADHD te femrat është një përvojë komplekse dhe shpesh e keqkuptuar. Ndërsa qasjet e hulumtimit dhe trajtimit janë strukturuar kryesisht rreth djemve hiperaktivë, mijëra femra të të gjitha moshave sot sapo kanë filluar të njohin simptomat që kanë ndikuar në jetën e tyre për dekada.
Në praktikën time klinike në Holandë, dhe herë pas here në Kosovë ku ofroj diagnostikim dhe trajtim për ADHD në raste që dyshoj për këtë çrregullim, nuk është e pazakontë që të paktën një femër e re çdo javë—pa marrë parasysh moshën—të kërkojë ndihmë për simptoma që përputhen me ADHD. Këto gra shpesh vijnë të rraskapitura, të mbingarkuara ose me diagnoza të gabuara. Ajo që bie më shumë në sy: simptomat e tyre përkeqësohen dukshëm gjatë fazave të caktuara hormonale—PMS, shtatzënia, perimenopauza dhe menopauza. Shumë nga klientet e mia në të dyja vendet kanë përjetuar gjithashtu traumë mjekësore, duke u përjashtuar, keqkuptuar ose manipuluar (gaslight) nga profesionistë shëndetësorë kur kanë kërkuar ndihmë fillimisht. Kjo shton një shtresë tjetër traume dhe thellon mosbesimin e tyre ndaj sistemit mjekësor.
Si Shfaqet ADHD te Femrat
ADHD te femrat shpesh kalon pa u vënë re sepse rrallë shfaqet në sjellje të zhurmshme apo ndërprerëse. Përkundrazi, fshihet pas sjelljeve të sjellshme, perfeksionizmit dhe mbingarkesës kronike.
Në aspektin mendor dhe Kognitiv, femrat me ADHD përballen me humbjen e sensit të kohës, harresën, vështirësi në fillimin ose përfundimin e detyrave, çrregullim dhe shpërqendrim të shpeshtë. Këto vështirësi në funksionimin ekzekutiv e bëjnë jetën e përditshme sikur ekzistencë në një mjegull të rëndë—ngadalshëm, pa qartësi dhe rraskapitës.
Emocionalisht, ato shpesh përjetojnë ndjeshmëri të lartë ndaj kritikës, refuzimit apo dështimit. Çrregullimi emocional është i zakonshëm—stresorët e vegjël mund të shkaktojnë reagime të mëdha.
Fizikisht, përvoja e ADHD përfshin shqetësim të brendshëm, hiperaktivitet mendor dhe mbingarkesë të shqisave. Lodhja kronike raportohet shpesh, sidomos pas aktiviteteve shoqërore ose në mjedise me stimuj të lartë. Hulumtimet tregojnë gjithashtu për një prevalencë më të lartë të çrregullimeve të gjumit dhe migrenës te femrat me ADHD.
Hormonet dhe ADHD: Një Dyfishim i Vështirësive
Shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm se sa thellësisht ndikojnë hormonet femërore në simptomat e ADHD.
Estrogjeni rrit dopaminën—një neurotransmetues që është i ulët te truri me ADHD. Kur nivelet e estrogjenit bien (para menstruacioneve, pas lindjes ose gjatë menopauzës), bie edhe dopamina. Për gratë me ADHD, kjo rënie është e mjaftueshme për të përkeqësuar ndjeshëm simptomat.
Disa faza hormonale që ndikojnë:
Puberteti: Shpesh faza e parë ku simptomat bëhen më të dukshme.
Cikli Menstrual: Java para menstruacioneve është veçanërisht e vështirë. Shumë gra përjetojnë ankth, probleme me kujtesën dhe luhatje emocionale.
Shtatzënia: Disa gra ndiejnë përmirësim gjatë tremujorit të dytë. Por pas lindjes, ndodh një përkeqësim i madh i simptomave.
Perimenopauza & Menopauza: Shkalla më e lartë e përkeqësimit. Rënia e estrogjenit ndikon në përqendrim, humor dhe qëndrueshmëri emocionale.
Efektiviteti i medikamenteve për ADHD gjithashtu ndryshon në varësi të nivelit të estrogjenit. Ajo që funksionon gjatë ovulimit mund të ndjehet joefektive gjatë PMS.
Kostoja e Maskimit dhe Pesha e Stigmës
Që në moshë të re, vajzat mësojnë të fshehin simptomat e ADHD për t'iu përshtatur pritshmërive shoqërore për të qenë "të mira", "të organizuara" dhe "të kujdesshme." Kjo quhet maskim—dhe ka një kosto të lartë.
Femrat me ADHD shpesh duken të suksesshme, por janë emocionalisht të rraskapitura. Çmimi i të qenit "në rregull" përfshin:
Ankth kronik dhe djegie emocionale
Diagnozë të vonuar
Marrëdhënie të vështira
Turp të thellë dhe mungesë vetëbesimi
Ato besojnë se janë përtace, të çmendura ose të thyera. Me kalimin e kohës, kjo çon në traumë—sistemi nervor mbingarkohet dhe funksionet ekzekutive vështirësohen edhe më shumë.
ADHD dhe Trauma: Goditja mbi Sistemin Nervor
ADHD te femrat nuk ndodh në një vakum—shpesh është e ndërthurur me trauma. Vite ose dekada të keqkuptimit, përjashtimit ose manipulimit emocional dhe psikologjik (gaslighting) çojnë në traumë komplekse dhe çrregullime në sistemin nervor.
Shumë femra mbesin në një cikël mbijetese:
Vështirësi në funksionimin e përditshëm
Ndjenja se janë "të tepërta" ose "të paafta"
Vështirësi për të kërkuar ndihmë
Fajësim i vetvetes për dështime
Kjo traumë dëmton drejtpërdrejt funksionet si kujtesa, planifikimi dhe organizimi. Pa trajtim të targetuar multi-diciplinar, asnjë strategji produktiviteti nuk ka për të funksionuar.
Trupi Kujton: Gjendjet Fizike të Ndërlidhura me ADHD
Në praktikën time, kam vërejtur gjithashtu prezencën e ADHD dhe cështjeve tjera të caktuara shëndetësore tek femrat. Përveç lidhjeve të dokumentuara me endometriozën, PCOS dhe fibromialgjinë, kërkimet tregojnë rritje të ndjeshme të:
Sëmundjeve autoimune si gjëndra tiroide, Hashimoto dhe lupus
Sindromës së lodhjes kronike (CFS/ME)
Sindromës së zorrës së irrituar (IBS)
Dhimbjes kronike në pelvik
Migrenës dhe çrregullimeve metabolike
Diabetit tip 2 dhe rezistencës ndaj insulinës
Çrregullimeve si ankthi, depresioni dhe çrregullimet e të ngrënit
Këto gjendje nuk janë rastësi. Ato tregojnë se ADHD tek femrat nuk është vetëm një çrregullim neurozhvillimor por një gjendje sistemike që ndikon në shëndetin e përgjithshëm.
Shërimi Kërkon Komunitet dhe Bashkëpunim
Hapi i parë për çdo femer që hyn në zyrën time është psikoedukimi. Kuptimi i ADHD si një gjendje neurologjike, hormonale dhe emocionale—jo si dështim personal— që shpesh ato më tregojnë se është hap thellësisht shërues për to.
Trajtimi i ADHD tek femrat duhet të jetë holistik. Unë shpesh bashkëpunoj me:
Mjekun familjar
Psikiatrin
Dietologë
Mjekë të përgjithshëm
Gjinekologë dhe endokrinologë
Akupunkturistë dhe osteopatë
Praktikues të TCM, Ayurvedës dhe kiropraktikës
Fizioterapistë
Në të dyja vendet, Holandë dhe Kosovë, kam parë që ndërtimi i një rrjeti mbështetës është thelbësor—jo vetëm për menaxhimin e simptomave, por edhe për të rikthyer besimin e humbur nga vite të tëra të mohimit. Për mjekët dhe profesionistët e shëndetit mendor: Validimi, kurioziteti dhe bashkëpunimi kanë ndikim të madh. ADHD te femrat shpesh nuk është e dukshme, por kur trajtohet me kujdes, ndryshimi është transformues.
Në Fund
Për çdo grua që është ndjerë sikur po fundoset nën peshën e padukshme të mendjes së saj: nuk je vetëm dhe nuk je e "trentë".
ADHD te femrat është gjendje reale, e nënvlerësuar dhe shpesh e keqinterpretuar. Por me mirëkuptim, mbështetje dhe dhembshuri, është plotësisht e mundur të jetosh një jetë të guximshme dhe me kuptim.
Dhe ndonjëherë, vetë cilësitë që të bëjnë të ndihesh "e tepërt" janë pikërisht ato që i duhen më së shumti botës.
Referenca dhe Burime
Ky artikull bazohet në:
Solden, S., Frank, M., & Littman, E. (2019). A Radical Guide for Women with ADHD: Embrace Neurodiversity, Live Boldly, Break Through Barriers. New Harbinger Publications.
Webinar dhe materiale klinike që bazohen në hulumtimet e PsyQ, Holandë—një institucion multidisiplinar i shëndetit mendor i njohur për shërbimet e specializuara të diagnostikimit dhe trajtimit për ADHD në të gjitha grupmoshat.
Gjithashtu janë konsultuar literaturë shkencore dhe kërkime klinike për të mbështetur informatat mbi ndërveprimin hormonal, ndikimin e traumës dhe bashkëshoqërimet fizike te femrat me ADHD.
Comentarios